Fermerët, më pak grurë

07/02/2011 12:30

Në një kohë kur çmimi i grurit dhe miellit ka pësuar një rritje shumë të madhe dhe kërkesa është në rritje, fermerët e zonës së Myzeqesë këtë vit kanë mbjellë 1800 hektarë tokë më pak se një vit më parë.

Çrregullimet e tregut, rritja e çmimeve për shërbimet ndihmëse, plehrat kimike, por edhe farërat ka bërë që fermerët mos të jenë të interesuar për të mbjellë grurin.

“Nga gruri që mbillet nuk ka leverdi fare, shpenzimet sa vijnë dhe rriten. Një thes miell e bleva 35 mijë lekë”, është shprehur një fermer.

Uljen e sipërfaqes së mbjellë me grurë e konfirmojnë edhe drejtuesit e bujqësisë në Lushnje.

“Mendoj se gruri ka vajtur në limitet e veta, por nuk mendoj se do të rritet më shumë”, deklaroi Isuf Çela, drejtor i Bujqësisë, Lushnje.

Grumbulluesit e grurit në Lushnje shprehen se viti që po vjen do të jetë më i vështirë përsa i përket çmimit të grurit, ata thonë se po punojnë vetëm me importin.

“Vjet ne e kemi marrë grurin me 30 mijë leke kujtalin, tani është 47 mijë lekë. Nevojat tona i plotëson vetëm importi”, theksoi një grumbullues gruri.

Zona e Lushnjes ka qenë një nga zonat që prodhonte pjesën më të madhe të grurit.

Top Channel