Thatësira e Amazonës, alarm nga CO2

05/02/2011 14:10

Dy thatësira të mëdha në gjashtë vitet e fundit kanë prekur pyjet e Amazonës, duke minuar statusin e saj si “mushkëria e planetit”.

Sipas CNN, ekziston një shqetësim serioz se si rrjedhojë e thatësirave, është ulur dukshëm aftësia e bimëve të dendura në këtë rajon për të përthithur dioksidin e karbonit, duke çliruar oksigjen.

Shkencëtarët brazilianë dhe ata britanikë arritën në përfundimin se thatësira e vitit 2010 ishte më e madhja në një shekull. Lumi i Amazonës preku nivelet e tij më të ulta në dekada, ndërsa degë të rëndësishme të tij, si Rio Negro, u thanë farë në disa pjesë.

Me mijëra njerëz që vareshin në korridoret ujore për të mbijetuar, një gjendje katastrofe natyrore u deklarua në Brazil. Megjithatë, situata mund të sjellë implikime për të gjithë planetin.

Si rrjedhojë e këtyre kushteve, aftësia e Amazonës për të përthithur dioksid karboni pritet të reduktohet nën pesë miliardë tonë gaz, ndërsa vetëm industria amerikane ka rritur në 5,4 miliard tonë çlirimin e dioksidit të karbonit në atmosferë.

Top Channel