Euro kap rekordin, shitet mbi 140 lekë

05/02/2011 08:05

Monedha europiane ka pësuar rritjen më të lartë, duke tentuar të kapërcejë rekordin historik. Në tregun vendas, euro është tregtuar mesatarisht gjatë ditës së djeshme me më shumë se 140 lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila u referohet të dhënave zyrtare të tregut, 1 euro dje është këmbyer për 140.06 lekë (kursi mesatar).

Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2003, kur euro e kapërceu për pak ditë kuotën e 141 lekëve, e më pas ka qëndruar në kuota mesatare prej 135 lekëve.

Gjatë gjithë vitit 2010, euro ka pasur një qëndrueshmëri të normës së saj, ndërsa në korrik preku nivelin e këmbimit me 134.86.

Historiku tregon se monedha europiane pëson rritje ndaj lekut në fillim të çdo viti, kur kompanitë mbyllin bilancet dhe transferojnë jashtë fitimet, por jo në të tilla përmasash të frikshme.

Rritja e çmimit të euros ka nisur gradualisht në muajt shtator, kurse në ditët e para të janarit e deri tani në fillim të shkurtit, forcimi erdhi me hapa të mëdha.

Kjo situatë e pafavorshme për monedhën tonë ndërkombëtare rrezikon të japë akoma e më shumë ndikime negative në ekonomi, më së shumti te konsumatorët.

Duke pasur parasysh se rreth 85 për qind (shifra, sipas INSTAT) e ushqimeve importohet, pra blihet nga jashtë, ku në pjesën më dërrmuese (65 për qind) nga vendet e Bashkimit Europian që përdorin euron, efekti pritet të jetë akoma e më i madh te çmimet, të cilat në dy javët e fundit kanë pësuar rritje.

Tjetër efekt negativ për ekonominë është transferimi i valutës jashtë vendit. Deficiti tregtar për vitin 2010 ishte 3 miliardë euro, para e nxjerrë jashtë vendit.

Nëse vijohet me këto ritme, deficiti mund të përcjellë rreziqe akoma e më të mëdha, aq më tepër në kushtet kur emigrantët nuk po sjellin atë sasi valute si më parë.

Top Channel