Shkodër, parandalohet vrasja

04/02/2011 11:45

Drejtoria e Policisë së qarkut të Shkodrës ka mundur të parandalojë planin e një vrasjeje në këtë qytet.

Operacioni “Kalaja 2” ka çuar në pranga 4 persona të cilëve ju kapën armë automatike kallashnikov, pushkë snapjer dhe një sasi e konsiderueshme tritoli.

Është kapur gjithashtu edhe një sasi prej 400 gramë kokaine. Kjo e fundit ka qenë edhe shkaku i planit për vrasje. Mes personave të përfshirë në ngjarje ka patur një prishje të pazareve të tregtisë së drogës.

Burime nga policia e Shkodrës pohuan për Top Channel se konflikti ka qenë mes shtetasit nga Lushnja, Kristian Gjyrgji student i Juridikut, në Universitetin e Shkodrës dhe vëllezërve Ajet e Sajmir Hoti, ku mes dy palëve ka nisur sherri pas prishjes se pazarit për çmimin dhe pastërtin e lëndës narkotike.

“Personat e arrestuar janë shtetasi Kristian Gjyrgji, 30 vjec nga Lushnja dhe banues në Tiranë, Ajet Hotaj, 20 vjec nga Shkodra, Sajmir Hoti, 24 vjec, po nga Shkodra dhe Naim Hotaj, 19 vjec, banues në Malësinë e Madhe. Materialet i kanë kaluar prokurorisë për akuzat vrasje të mbetur në tentativë, prodhim dhe shitje droge dhe mbajtje pa leje të arsenalit të armëve”, ka deklaruar një zyrtar i policisë lokale.

Pas marrjes së informacionit policia e Shkodrës në bashkëpunim edhe me repartin RENEA realizoi kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.

Top Channel