Mbahen katër demonstratat e opozitës

04/02/2011 15:40

Ashtu sikurse kishte lajmëruar, opozita ka zbritur në rrugë në katër demonstratat e lajmëruara në Tiranë, Vlorë, Korcë dhe Lezhë, të cilat nisën në orën 14.00.

Aktualisht, në Vlorë, ka 10 minuta që demonstruesit kanë kaluar në Sheshin e Flamurit, më pas kanë marshuar përgjatë bulevardit, për t’u drejtuar për në hyrje të qytetit.

Situata ka qenë e qetë, ka pasur vetëm pak policë që kanë shoqëruar protestuesit. Forcat e rendit kanë qendruar në gatishmëri në zona larg turmës.

Parrulla kryesore e manifestuesve ka qenë ajo për zgjedhje të parakohshme, largimin e kryeministrit Berisha dhe garantimin e këtyre zgjedhjeve.

Manifestuesit kërkojnë që zgjedhjet të organizohen nga një kryeministër tjetër, si dhe mbylljen e komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit.

Në Vlorë janë mbledhur qytetarë edhe nga Lushnja, Berati dhe qytete të tjera. Pasi të arrijnë në hyrje të qytetit, protestuesit, të shoqëruar nga eksponentë të opozitës, do të shpërndahen.

Ndërkohë, në Korcë protesta e opozitës është mbyllur në formën e një manifestimi paqësor, pa fjalime dhe pa incidente.

Deputeti Pandeli Majko ka qenë i pranishëm bashkë me socialistë të disa qarqeve. Manifestuesit janë udhëhequr gjithashtu nga deputetët Ben Blushi, Olta Xhacka, Mimi Kodheli, etj.

Kërkesa e tyre ka qenë largimi i qeverisë. Turma ka marshuar përgjatë bulevardit, ka kaluar tek teatri, në shesh dhe pranë stadiumit ku është bërë përmbyllja. Për ruajtjen e sigurisë ka pasur 200 policë nga 4 komisariate.

Ndërsa protestën e Tiranës e kryeson vetë lideri i opozitës, Edi Rama. Në të marrin pjesë qytetarë nga rrethe të ndryshme, të cilët kanë hyrë në Tiranë përmes rrugëve hyrëse, për të protestuar kundër qeverisë.

Ata kërkojnë dorëzimin e 6 gardistëve dhe funksionimin e institucioneve. Protesta vazhdon, qytetarët janë mbledhur tek Muzeu Kombëtar dhe po ecin përgjatë rrugës së Durrësit për të arritur tek Zogu i Zi.

Ata mbajnë pankarta dhe lëshojnë thirrje kundër qeverisë. Në të gjitha pikat ku ata janë takuar nuk ka pasur incidente, pasi manifestuesit janë udhëhequr nga deputetët e PS, Sajmir Tahiri dhe Vasilika Hysi.

Ndërkohë, në Lezhë protesta ka qenë paqësore dhe aktualisht gjithcka ka përfunduar me protestuesit që janë shpërndarë në mënyrë paqësore.

Protesta ka nisur pranë varrezave të dëshmorëve, ka kaluar nga semafori kryesor dhe ka vijuar më tej. Mendohej se ajo do të mbyllej tek sheshi administrativ, por manifestuesit janë mbledhur në hyrje të sheshit dhe jo brenda tij.

Në të kanë qenë të pranishëm deputetë të qarkut të Lezhës dhe Shkodrës. Gjithcka përfundoi paqësisht. Policia ishte e angazhuar, por nuk ka pasur nevojë për ndërhyrjen e saj.

Top Channel