10% e popullsisë botërore janë obezë

04/02/2011 08:50

10% e popullsisë totale të rritur në botë është obeze, është përfundimi i një studimi amerikano-britanik, i publikuar sot në revistën mjekësore “The Lancet”.

Universiteti Mbretëror i Londrës dhe Harvardi studiuan së bashku indeksin e masës trupore, nivelet e kolesterolit dhe të hipertensionit, midis viteve 1980 dhe 2008.

Ndërsa kolesteroli dhe hipertensioni kanë rënë në vendet e zhvilluara si pasojë e rritjes së efikasitetit të mjekimeve, përqindja e njerëzve obezë është rritur shumë shpejt në shkallë globale.

Në vitin 2008, 9,8% e meshkujve dhe 13,8% e femrave në të gjithë planetin janë obeze, pra kanë një indeks të masës trupore më të madh se 30 kg/m katror.

Kjo shifër tregon se në 30 vjet fenomeni është dyfishuar. Në vitin 1980, vetëm 4,8% e meshkujve dhe 7,9% e femrave ishin obeze.

Ndërkohë, numri i personave mbipeshë është shumë më i lartë. Indeksi i masës trupore gjendet duke matur peshën dhe gjatësinë e një njeri. Shifrat 18.5-25 konsiderohen si të shëndetshme, 25-30 mbipeshë dhe mbi 30 obez.

Problemi më i madh i obezitetit është në ishujt e Paqësorit, me nivel mesatar 34-35 kg/metri katror. Ndërkohë, disa vende të varfëra në Afrikë vazhdojnë të vuajnë nga kequshqyerja dhe uria, çka përkthehet me një indeks trupor më të ulët se 18,5 kilogramë për metër katror.

Top Channel