Tjetër betejë mes Topit dhe Komisionit

03/02/2011 15:30

Një ditë pasi presidenti i Republikës deklaroi nëpërmjet këshilltarit të tij juridik se korniza ligjore kushtetuese nuk e lejon kreun e shtetit të paraqitet para komisionit hetimor me cilësinë e dëshmitarit, kryetari i këtij komisioni, Eduard Halimi, sqaroi në një deklaratë të shkurtër se presidenti nuk ishte kërkuar në komision me cilësinë e dëshmitarit. (UPDATE)

Zoti Halimi iu referua një neni tjetër të ligjit për organizimin e komisioneve hetimore, duke theksuar se presidenti është thirrur si titullar institucioni.

“Presidenti i Republikës, është thirur në këtë Komision Hetimor Parlamentar për të përcjellë të dhëna, informacione dhe dokumente zyrtare si titullari i vetëm i institucionit të Presidencës, siç parashikohet në nenin 14, shkronja ‘b’ të ligjit Nr. 8891, datë 2.05.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’. Ne shpesojmë se Presidenti do t’i përgjigjet këtij detyrimi ligjor”, është shprehur Halimi.

Por, në një reagim të menjëhershëm, nëpërmjet këshilltarit të tij juridik, presidenti i Republikës bëri këtë vlerësim për shkresën e re që i ka mbërritur në zyrë nga Komisioni Hetimor.

“Në qoftë se ky ‘argumentim’ nuk përmban keqdashje politike, në rastin më të mirë, është një miopi juridike. Neni i cituar, bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre. Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë presidentin e Republikës me një titullar institucioni”, deklaroi Peçi.

Për këtë arsye, duket se presidenti i Republikës nuk e konsideron si zgjidhje ligjore as vizitën faktmbledhëse, të propozuar në mesditë nga komisioni hetimor, pasi, siç shprehet këshilltari juridik i presidentit marrëdhënia mes presidentit dhe Kuvendit është përcaktuar në Kushtetutë vetëm në formën e mesazheve.

“Komisioni Hetimor aktualisht është në fazën e mbledhjes së të dhënave, informacioneve zyrtare dhe jo zyrtare dhe dokumentave. Këto të dhëna merren edhe nga burime të drejpërdrejta siç parashikohet në nenin 15, pika 2, ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’, nëpërmjet vizitave faktmbledhëse. Për këto arsye, Komisioni është i gatshëm, në përmbushje të këtyre detyrimeve të mësipërme ligjore, të zhvillojë këtë vizitë edhe pranë institucionit të presidentit”, tha Halimi.

“Ashtu siç shpjeguam edhe në konferencën e ditës së djeshme, në bazë të nenit 92, në germën “h” të Kushtetutës duke qenë Presidenti një institucion, thuhet ‘kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre’. Në asnjë rast, presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione”, pohoi Peçi.

Një ditë më parë zoti Peçi deklaroi se “në këto kushte, duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor”.

Top Channel