Tre truprojat e prokurores së përgjithshme zonjës Ina Rama që për mëse tre vjet me radhë janë shfaqur përkrah saj, si personat e besuar që ruanin sigurinë dhe jetën e saj, së bashku me ish shoferin e prokurores së përgjithshme, jo vetëm që nuk jane pjesë e eskortës, por me të njëjtin urdhër ata janë “internuar” me shërbim jashtë Tirane.
Edhe pse janë pjesë e sektorit të ruajtjes së sigurisë së personaliteteve të larta, në mënyrë të pashpjegueshme truprojat janë emëruar në një sektor tjetër që s’ka lidhje me aftësitë e tyre.
Tre truprojat e prokurores së pergjithshme zonjës Ina Rama janë emëruar në sektorin e sigurisë së banesave dhe rezidencave qeveritare në rrethe.
Konkretisht njeri nga badigardët është caktuar dhe po shërben me urdhër të pashpjegueshëm, roje në sigurimin e një rezidence qeveritare në Vlorë, tjetri roje e rezidencës qeveritare në Pogradec dhe i treti roje e rezidencës qeveritare në Dajt.
Burimet nuk konfirmojnë se çfarë pune i është gjetur ish shoferit të kryeprokurores, edhe ky pjesë e shërbimit të gardës.
E vetmja që i ka shpëtuar këtij zëvendësimi të beftë është truproja femër e prokurores së përgjithshme, kjo mund të thuhet të paktën deri më tani, pasi nuk dihet se çfarë do të ndodhë më vonë.
Zëvendësimi i eskortës dhe truprojave të prokurores së përgjithshme shkaktoi jo pak habi dhe pikëpyetje në opinion, kjo pasi ndërrimi i tyre me të tjerë ndodhi pikërisht në kohën kur organi i akuzës po kërkon ndalimin e gjashtë efektivëve të Gardës mes të cilëve edhe të komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi, i cili ka firmosur urdhërin e zëvendësimit dhe transferimit të ish truprojave.
Të gjashtë oficerët e gardës kërkohen për llogari të hetimeve të çelura për ngjarjet e 21 janarit, ku tre demonstrues mbetën të vrarë përpara Kryeministrisë.
Dhe urdhëri për transferimin e tyre është firmosur pikërisht nga kreu i Gardës.
Top Channel