Një video amatore e xhiruar nga disa të rinj në Jerusalem po bën xhiron e botës. Në të tregohet një “disk fluturues i zjarrtë” teksa fluturon pranë minaresë së një xhamie dhe “Murit të Vajit” në Jerusalem.

Menjëherë pas kësaj u hodhën hipotezat se bëhej fjalë për objekt fluturues jashtëtokësor. Spektatorë të ‘shfaqjes aliene’ janë bërë mbi 200 mijë persona, mes të cilëve edhe dhjetra ekspertë të fenomeneve paranormale, të cilët nuk kanë mundur të japin një shpjegim të qartë për fenomenin.

Filmimi i objektit misterioz është kryer rreth orës 1 të mëngjesit të datës 29 janar. Në fillim duket objekti teksa afrohet vertikalisht me minarenë e xhamisë dhe “Murin e Vajit”, që të dyja të konsideruara vende të shenjta, e para për muslimanët ndërsa i dyti për hebrenjtë.

Objekti zbret, qendron për disa sekonda pezull e më pas ringjitet me një shpejtësi të rrufeshme, i shoqëruar nga komentet e dy të rinjve izraelitë që kanë filmuar gjithë skenën.

Gazeta izraelite, Maariv, shkruan se edhe disa turistë amerikanë kishin rastisur të njëjtin fenomen mbi “Murin e Vajit”, por në mes të ditës.

Top Channel