Komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit mund ta bëjë pushim ditën e enjte. Presidenti i Republikës nuk ka ndërmend të paraqitet atë ditë. Kjo nuk do të thotë se presidenti refuzon të japë dëshminë e tij, përkundrazi, por Presidenti, ashtu siç e parashikon edhe ligji, do t’i përgjigjet pyetjeve të komisionit në zyrën e tij, pasi të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit të tyre. (UPDATE)
“Dëshirojmë të theksojmë se Komisioni Hetimor në kërkesën e vet, që Presidenti i Republikës të paraqitet para tyre për të dëshmuar, është në kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin. Dihet se komisionet hetimore të Kuvendit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre sidomos për metodikën e hetimit, në përputhje me dispozitat e Kodit për Proçedurën Penale (pika 2 e nenit 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit). Referuar këtij detyrimi ligjor, po ju lexoj nenin 162 të Kodit të Proçedurës Penale, në të cilin thuhet:
1. Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e Kryetarit të Shtetit.
2. Kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose dhe të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre.
Pra, siç del e qartë nga përmbajtja e këtij neni, Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon Komisioni Hetimor, por jo vetëm kaq. Atij në dallim nga funksionarët e lartë të shtetit, nuk i lejohet të paraqitet para Komisionit, Gjykatës apo dhe Prokurorisë.
Në këto kushte edhe njëherë, duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor”, deklaroi Këshilltari Ligjor i Presidentit, Spiro Peçi.
Zoti Peçi sqaroi pozicionin e Presidentit të Republikës edhe sa i takon kërkesës për tabulatet telefonike. Sipas Presidentit Bamir Topi kërkesa për tabultatet jo vetëm të kreut të shtetit, por të çdo qytetari tjetër prej komisionit hetimor parlamentar, është në kundërshtim me ligjin. Zoti Peçi iu referua ligjit “Për komunikimet elektronike”, ku në nenin 101 sqarohet se çfarë përmbajnë tabulatet dhe i bëhet referim Kodit të Proçedurës Penale për të parë se cilat institucione mund t’i kërkojnë tabultatet. Pika 1 e nenit 222 të Kodit të Proçedurës Penale përcakton se tabulatet mund të kërkohen vetëm nga prokuroria.
“Nga kjo, del e qartë se kërkesa të kësaj natyre, mund të paraqesë vetëm prokurori, përndryshe me logjikën e Komisionit Hetimor, se ka të drejtë të paraqesë kërkesa të tilla dhe të administrojë dokumente të kësaj natyre, Komisionin nuk do ta pengonte asgjë për të kryer veprime që ligji i atribuon vetëm prokurorit dhe gjykatës, siç janë arrestimet, vënie nën sekuestro, pse jo dhe dhënien e vendimeve penale”, tha Këshilltari Peçi.
Peçi: Komisioni ka ngritur akuza
Kjo ishte pjesa zyrtare. Por nisur nga këto përgjigje, një pyetje vjen në mend: A është i ligjshëm ky Komision Hetimor?
“Dua të bëjmë një marrëveshje për përgjigjet e pyetjeve. Ajo çka do të shpjegoj për pyetjet që keni është një mendim i imi personal si jurist. Nuk ka të bëjë me funksionin si Këshilltar i Presidentit të Republikës. Ato çka kisha, në mënyrë institucionale, i parashtrova pak më parë. Mesa kuptova, thelbi i pyetjes suaj është, nëse është i ligjshëm Komisioni Hetimor. Unë do ta ndaja në dy momente. Përsa i përket anës formale juridike, kemi të bëjmë me një Komision, i cili është ngritur në përputhje me ligjin, pavarësisht se në këtë Komision nuk ka marrë pjesë opozita. Ky është një qëndrim politik që nuk ka të bëjë me ligjin. Për mendimin tim, përsa i përket pjesës së dytë që do të thoja, nëqoftëse ky Komision Hetimor do ta kufizonte objektin e veprimtarisë së tij brenda atyre caqeve që lejon ligji, do të kishim një komision të ngritur në përputhje me, në ushtrim të kompetencave që i japin ligjet. Nga vetë objekti që ka caktuar ky Komision, ku thotë: “Për hetimin, zbulimin, financimin, madje edhe ndëshkimin e veprave të dhunës të ushtruara për përmbysjen e rendit kushtetues”, në vetvete kemi të bëjmë me një akuzë të ngritur, pa filluar akoma asnjë lloj hetimi. Nuk është Komisioni Hetimor që ngre akuza, nuk është Komisioni Hetimor që heton akuza, aq më tepër, nuk është Komisioni Hetimor që ndëshkon ata që akuzohen. Kushtetuta dhe në çdo shtet ku funksionon shteti i së drejtës dhe demokracia, pushtetet janë të ndara, secili ka kompetencat e veta. Këto kompetenca, të paktën siç shprehen në objektin e Komisionit Hetimor, janë kompetenca që i ushtron vetëm Prokuroria dhe në finale, gjykatat e vendit”, sqaroi juristi Spiro Peçi.
Top Channel