Rama: Jo zgjedhje në këto kushte

02/02/2011 13:55

Kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama ka deklaruar se në këto kushte në vend nuk mund të flitet dhe nuk mund të ketë zgjedhje lokale.

“Jemi të gatshëm për dialog e kompromis, por nuk do të ndalemi në rrugën e rezistencës paqësore nëse regjimi i kusarisë nuk zmbrapset nga matrapazllëku ku është futur. Regjimi me sulme ndaj presidentit, prokurores, gazetarëve, opozitës dhe mosdorëzimi i të kërkuarve nga drejtësia e bën absurde përmendjen e zgjedhjeve të 8 majit si mundësi për të larguar vëmendjen nga zgjedhjet e parakohshme”, ka pohuar Rama.

Rama është shprehur se kryeministri Berisha është duke u përpjekur tashmë të mbulojë me tymnajën e bombave edhe Europën, ndaj rezistenca paqësore e opozitës do të vazhdojë.

“Të premten, Tirana, Vlora, Lezha e Korca do demonstrojnë për të kërkuar rivendosjen e demokracisë dhe kthimin e Policisë së Shtetit brenda ligjit, duke arrestuar 6 gardistët. Regjimi i kusarisë po lufton kundër një puci imagjinar me qëllim që të likuidojë të gjitha burimet që kundërshtojnë qeverinë”, ka nënvizuar Rama.

“Paqja në emër të bashkëjetësës demokratike garantohet me zgjedhje të lira e të ndershme, shtet ligjor dhe me drejtësi për ngjarjet e 21 janarit”, ka vijuar ai.

Top Channel