Nicolas Gage në Dropull

02/02/2011 21:40

Aktivisti greko-amerikan Nicolas Gage ishte në zonën e Dropullit, në Gjirokastër, ku është takuar me përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri.

I shoqëruar nga përfaqësues të minoritetit, Kosta Barka dhe Kostandina Bezhani, Gage në një konferencë për shtyp ka folur në lidhje me gjendjen e minoritetit grek dhe përfaqesimin e tyre në organizatën Omonia dhe në partitë politike.

“Unë nuk vij këtu as per cmime, as për vlerësime. Ne e duam këtë vend. Epirotët e jashtëm duan që kjo pjesë e rëndësishme e Epirit, Vorio Epiri, të fuqizohet, të mbijetojë dhe të rimarrë vlerën që ka pasur dikur”, ka deklaruar Gage.

Duke patur parasysh organizatën Omonia dhe partinë e re Mega, Gage tha se cmon organizatat që kanë kapacitete të përzgjedhin përfaqësues nga baza dhe deri më sot organizatat e mëparshme nuk zgjodhën këtë rrugë dhe krjuan klika që nuk bënë më të mirën për minoritetin.

Gage është ndalur në cështjen e rregjistrimit të popullsisë dhe rëndësisë së deklarimit të etnisë dhe fesë.

“Kjo në regjistrimin e kaluar nuk ka ndodhur dhe shpresoj që tani të bëhet me kusht që të lejojë këdo të deklarohet si të dojë etnikisht dhe për besimin. Të kemi një proces të drejtë. Shpresoj që në Shqipëri nuk do mund të zvogëlohet numri në regjistër nëse personat nuk gjenden fizikisht në shtëpi”, ka pohuar Gage.

Ai është pyetur për cështjen came dhe pronat e tyre në Greqi. “Pas Luftës së Dytë Botërore, 14 milionë europianë u dëbuan nga vendet e tyre sepse mbështetën nazistët. Mes tyre ishin dhe camët. Ky është problem europian. Nëse Europa do të vendosë se duhet t’i riktheht problemit dhe nëse ishte e padrejte për të gjithë ata që u dëbuan, duhet të vlejë dhe për camët. Unë mendoj se ne nuk mund ta zgjidhim”, ka thënë Gage.

Duke komentuar situatën politike në Shqipëri, Gage tha se ngjarjet që po ndodhin krijojnë shqetësim.

Top Channel