Lind e përditshmja e parë e iPad-it

02/02/2011 19:45

Manjati ndërkombëtar i medias, Ruper Murdoch, paraqiti sot në Nju Jork të përditshmen e parë të lexueshme vetëm në iPad.

E quajtur “The Daily”, abonimi në të do të kushtojë 99 cent në javë ose më pak se 14 cent në ditë, duke e shndërruar kështu në gazetën më të lirë në SHBA.

Murdoch ka në zotërim një sërë mediash ndërkombëtare, midis të cilave edhe të përditshmet prestigjioze të shtypit të shkruar, “Wall Street Journal”, “New York Post” apo “Times”.

Gazeta e re do të vendosë theksin e saj tek aftësia për të lundruar me shpejtësi dhe lehtësi në internet, ndërsa mundësia e palimituar për të vendosur imazhe do ta bazojë botimin e saj tek fotot.

”Kohë të reja imponojnë zhvillime të reja edhe në fushën e gazetarisë”, deklaroi manjati Murdoch. “Sfida jonë është ajo e marrjes së më të mirës së gazetarisë tradicionale, për ta bashkuar me më të mirën e teknologjisë.

Kemi ambicje të mëdha, por kosto shumë të ulta. Ky investim ka kushtuar 30 milion dollarë, ndërsa do të vazhdojë të na kushtojë 500 mijë dollarë në javë”.

Çmimi i ulët pritet të justifikohet nga fakti që nuk ka asnjë konkurrent tjetër për “The Daily” në fushën e gazetarisë së iPad-it. Abonimi vjetor në këtë të përditshme do të jetë prej 39,99$ në vit.

Top Channel