Gërdeci, sa turp për drejtësinë

02/02/2011 20:25

Drejtësia shqiptare është duke luajtur aktin e fundit të tragjedisë së Gërdecit.

Dy vjet pasi vendi u trondit nga shpërthimi tragjik që u mori jetën 28 personave e plagosi mbi 300 të tjerë dhe që shkatoi dhjetra milliona euro dëme, procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për këtë tragjedi po dështon në mënyrë skandaloze.

Pasi u zvarrit për muaj të tërë, herë duke munguar avokatët e herë duke pritur një dëshmitar të prokurorisë nga Shtetet e Bashkuara, tashmë i erdhi radha lirimit edhe të protagonistëve.

Zvarritja e procesit gjyqësor është denoncuar shumë herë nga media, duke apleuar strukturat mbikëqyrëse të drejtësisë për të ndërhyrë e për ta cuar atë deri në fund dhe për të vendosur drejtësi për një nga ngjarjet më të rënda të dy dekadave të fundit.

Por përgjegjësia u bë top që pasohej sa në një zyrë në tjetrën, ndërsa skema e dështimit të gjyqit doli me sukses. Procesi për tragjedinë e madhe u shndërrua në një komedi të shëmtuar, sa edhe familjarët e viktimave refuzuan ta ndiqnin.

Ndërsa tashmë, kur e tërë vëmendja e politikës, shtetit, medias dhe opinionit është drejtuar tek kriza e madhe politike e post-demonstratës tragjike të 21 janarit, gjykata ka gjetur kohën më të mirë për t’u rikthyer lirinë të akuzuarve dhe njëkohësisht të mos jetë shënjestër kritikash.

Gjithësesi, gjykata mbështetet në një ligj, i cili ua njeh të drejtën të akuzuarve të lënë qelinë kur kalon koha e paraburgimit. Por prej dy vjetësh nuk u zbatua dot një ligj, ai që u njeh të drejtën viktimave për të kërkuar drejtësi.

Top Channel