Rakipi: Komisioni i paligjshëm

01/02/2011 20:40

Ish-prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi, e konsideron të paligjshëm ngritjen e komisionit hetimor. Për zotin Rakipi ai është i njëanshëm.

“Fryma e ligjit dhe fryma e Kushtetutës është e tillë që komisioni nuk mund të ngrihet për sa kohë është filluar një hetim proçedural penal nga organi kompetent siç është Prokuroria në këtë rast. Unë gjykoj që është shfaqur dukshëm, në mënyrë të hapur i njëanshëm dhe për rrjedhojë të gjithë opinionin që ai ka dhënë, vendimet e ndërmjetme që ka marrë, janë kushtëzuar nga ky lloj paragjykimi që qarkullon hapur në publik”, është shprehur Rakipi.

Përsa i përket kërkesës për tabulatet telefonike, Rakipi shprehet se kjo është punë që normalisht e kryen shërbimi i inteligjencës dhe që nuk konsiderohet provë. Ndërsa kërkesat për tabulatat e gazetarëve nuk e habit ish-prokurorin, i cili e konsideron vazhdën e cënimit të së drejtës dhe ligjit.

“Analiza e tabulateve është një veprim para-policorë, i përdorur nga shërbimet inteligjente në bazë të një programi që ne e kemi instaluar kohë më parë dhe e kemi quajtur I2, program i cili bën të mundur identifikimin e personave të afërt me një subjekt të caktuar që është në ndjekje. Tabulatet në vetëvete nuk kanë vlerë prodhuese. Sipas meje, serviren tabulatet për të aluduar se biseda mund të ketë pasur një përmbajtje të tillë apo të atillë. Nuk e kuptojë humbjen e ekuilibrit për të mos respektuar punën e gazetarit”, është shprehur Rakipi.

Duke komentuar sulmet ndaj Prokurorisë, zoti Rakipi i kthen një përgjigje motivacionit ku bazohet mazhoranca për ngritjen e këtij komisioni, duke theksuar se Prokuroria i ngre akuzat pas një hetimi minimumi 3 mujorë.

“Unë kam bindjen që sikur sulmi ndaj Prokurorisë të mos ishin bërë në kohën që unë kam drejtuar Prokurorinë, sot Prokuroria do të ishte më mirë. Ky institucion në fazën që jemi nuk mund të ngrejë akuzë, sepse akuza proçedurialisht shpallet në fund të hetimeve dhe zgjasin nga tre dhe më shumë muaj. Në këtë fazë që jemi Prokuroria për publikun është e mjaftueshme që të ketë filluar hetimet dhe t’i zhvillojë ato me efiçencë dhe objektivitet”, theksoi Rakipi.

Për ish-numrin një të Prokuorisë policia ka kaluar në vetëgjyqësi, duke mos respektuar Kushtetutën për arrestimin e gardistëve.

“Kur policia në mënyrë të padrejtë dhe antikushtetuese ka marrë përsipër të vlerësojë punën e prokurorit dhe duke e penguar që të ushtrojë aktivitetin të njohur nga Kushtetuta si subjekt i vetëm i ndjekjes penale në vend. Është një çështje që ka reflektuar një konflikt të madh ndërmjet institucioneve. Policia si e interesuar në këtë aktivitet për shkak se ka qenë e dëmtuar pjesërisht nga vepra penale, ka marrë përsipër vetëgjyqësinë për të penguar punën e prokurorit”, tha Rakipi.

Për ish-prokurorin ajo që ndodhi në 21 janar është demonstrim i dhunshëm dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Top Channel