PS çon në Kushtetuese komisionin hetimor

01/02/2011 00:35

Partia Socialiste ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj për shpalljen anti-kushtetues të komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit.

Thelbi i kërkesës së opozitës për shpalljen anti-kushtetues të këtij komisioni konsiston në faktin që opozita konsideron se komisioni hetimor parlamentar ka marrë kompetencat e prokurorisë në hetimin e disa veprave penale, të përcaktuara në objektin e hetimit.

Në mënyrë që të realizojë ndërprerjen e punës së komisionit hetimor, Partia Socialiste i kërkon Gjykatës Kushtetuese të pezullojë zbatimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e këtij komisioni hetimor deri në marrjen përfundimtare të vendimit prej kësaj gjykate.  

Në kërkesën e saj, Partia Socialiste thotë se Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke hyrë jo vetëm në kompetencat e prokurorisë, por edhe në prerogativat e pushtetit gjyqësor.  

Duke mbrojtur idenë se i vetmi organ që ka të drejtë të hetojë dhe të konkludojë mbi ekzistencën e një vepre penale është prokuroria, Partia Socialiste thotë se hetimi që komisioni parlamentar ka nisur t’i bëjë prokurorisë rreth veprimtarisë së saj për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit dalin përtej hapësirës që Kushtetuta i jep Kuvendit.

Ndërkohe, Partia Socialiste thotë në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese se kërkesa e bërë së fundmi nga komisioni hetimor parlamentar për vënien në dispozicion të tij të tabulateve telefonike të funksionarëve më të lartë të shtetit është një dhunim i hapur i parimit të shtetit të së drejtës.  

Top Channel