Meshkujt kurajozë: Edhe ne në sallën e lindjes

01/02/2011 19:10

Emisioni i pasdites në Top Channel u fokusua sot në ata pak meshkuj shqiptarë, të cilët zgjedhin të asistojnë bashkëshortet e tyre gjatë lindjes.

” Presim fëmijën tonë të parë. Jam shumë i emocionuar dhe jam i vendosur që të marr pjesë”, thotë 38-vjeçari Igli, njëri prej vetëm 2% e burrave shqiptarë që asistojnë në lindjen e fëmijës së tyre.

Mendësia shqiptare dhe mungesa e përgatitjes emocionale e psikologjike e baballarëve, pengon këta të fundit të jenë pjesë e procesit të ardhjes në jetë të foshnjes së tyre.

Nga ana e tyre, mjekët gjinekologë e konsiderojnë shumë të rëndësishme prezencën e babait në lindjen e fëmijës. Në maternitetin Koço Glozheni, në Tiranë, që prej vitit 1998 është krijuar mundësia që bashkëshortët të asistojnë në sallën e lindjes.

Megjithatë, janë të paktë ata që zgjedhin të përfitojnë nga kjo mundësi. “Asistenca e babait në lindje është në të mirë të nënës dhe stafit mjekësor”, thotë mjekja gjinekologe, Mimoza Keta.

”Duke i dhënë në dorë babait gërshërën për prerjen e kordonit umbelikal, i tregojmë atij se tani nisin përgjegjësi të reja në jetë”.

Mjekët tregojnë se bashkëshortët që marrin pjesë zakonisht në lindje janë intelektualë, emigrantë ose të huaj që jetojnë në Shqipëri. Robert Shtefanc është njëri prej kategorisë së fundit.

Ai është nga Sllovenia dhe jeton në Tiranë që kur u martua me Marinelën, të cilën e shoqëroi pa diskutim në maternitetin e vjetër, kur sollën në jetë djalin e tyre, Darinin.

”Emocioni më i madh ishte kur erdhi fëmija, kur pashë birin tim për herë të parë, u pushtova i gjithi nga emocionet, aq sa s’mund të bëja asnjë koment apo të flisja. Nisa të qaja nga gëzimi dhe kaq ishte momenti im i parë”, thotë Roberti.

Ndërkohë, 38-vjeçari nga Durrësi, Igli, e ka ndjekur shtatzaninë e bashkëshortes në çdo hap, që nga ekot e para dhe deri në pergatitjet për veshjet e vazjës që nga dita në ditë pret të vijë në jetë.

Vendimin për të marrë pjesë në momentin e lindjes, Igli e ka marrë bashkë me bashkëshorten, Albanën, e cila edhe për këtë arsye nuk e ka marrë me frikë procesin e lindjes.

”Normalisht, si çdo nënë që pret fëmijën e saj të parë, ndihem paksa e frikësuar”, thotë Albana. “Megjithatë, prezenca e Iglit do të jetë një mbështetje shumë shumë e madhe”.

Doktoreshë Mimoza Keta tregon se edhe ekipi mjekësor bën një farë përzgjedhje, sepse ka ndodhur edhe që bashkëshortët të mos kenë mundur të përballojnë procesin.

”Në një rast, babait i ra të fikët dhe ne u gjendëm në situatën që duhet të merreshim me gruan që lind apo me bashkëshortin e saj”, kujton gjinekologia.

”Në një rast tjetër, kur filloi lindja, bashkëshorti, një burrë serioz, filloi të qeshte me të madhe dhe më pas. kur degjoi të qarat e bebit, nisi të qante po me aq ngashërim”.

Roberti tregon se në Slloveni bëhen kurse për të dy bashkëshortët, për përgatitjen e lindjes. “Është e detyrueshme me ligj që të dy prindërit e ardhshëm t’i nënshtrohen disa kurseve, për të qenë të përgatitur”.

Edhe Igli e ka marrë përgatitjen seriozisht. Në konsultat me mjekët gjinekologe, ai ka mësuar për çdo hap që duhet të ndjekë kur të jetë në sallën e lindjes.

”Kam folur me doktoreshën dhe ditën e lindjes do të vesh një veshje të posaçme, do t’i mbaj dorën bashkëshortes, t’a ndihmoj për frymëmarrjen, do jetë me të vërtetë emocionuese”.

Mjekët tregojnë se meshkujt nuk marrin pjesë në sallën e lindjes dhe për një arsye që fshihet shpesh pas mentalitetit: të pasurit frikë. Edhe pse mund te duket qesharake, nje arsye e tillë ekziston.

”Frika është e natyrshme, por unë mendoj se gëzimi është shumë më i madh, kështu që nuk kam as dyshimin më të vogël për të marrë pjesë në lindje”, thekson Igli, pranë shndërrimit për herë të parë në baba.

Top Channel