Aksion i Tatimeve në qytetet kryesore

01/02/2011 08:10

Skadimi i afatit për vendosjen e kasave dhe hezitimi i biznesit për të mos u pajisur, ka detyruar grupin e Task-Forcës në Tatime të zbresë në terren, duke vendosur gjoba dhe bllokuar pikat e shitjes.

Aksioni është shtrirë në qytetet kryesore të vendit dhe po verifikohen pikat e shitjes me gaz të shoqërive të ndryshme.

Këta të fundit kanë krijuar një shoqatë enkas për të mbrojtur interesat në këto ditë kur Tatimet kanë nisur vendosjen e gjobave.

Shoqëritë e gazit janë shprehur kundër për vendosjen së kasave duke e lidhur me aspektin teknik, që sipas tyre pajisja fiskale nuk e zgjidh.

Sipas tyre, shitja e gazit bëhet me kilogram, kurse kasa e paraqet me litra, ndërsa një tjetër problem qëndron te çmimi i pajisjes fiskale, që për tregtarët e gazit është e papërballueshme. Nga ana e tyre, Tatimet janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga aksioni i vendosjes së gjobave.

“Nuk do të ketë asnjë përjashtim për tregtarët e gazit. Edhe karburanteve u janë vendosur kasa fiskale, si dhe depozitat apo magazinat doganore me naftë, benzinë dhe disa me gaz janë pajisur. Të gjitha bizneset do t’i vendosin kasat, sikurse e parashikon ligji”, shprehen burime zyrtare të Tatimeve.

Konkretisht, dje në Durrës, ekipet e Task-Forcës kanë zbritur për të verifikuar tregtarët e gazit dhe në fund kanë marrë vendimin për të bllokuar dy pikat më të mëdha.

E ndërsa tregtarët e këtij produkti tepër të rëndësishëm, veçanërisht në muajt e ftohtë kishin paralajmëruar bllokim të tregut në rast mosmarrëveshjeje me organet tatimore dhe Ministrinë e Financave lidhur me pajisjen me kasa dhe efektet financiare të saj, tatimorët janë hedhur në aksion, duke detyruar subjektet të deklarojnë se mungesa e gazit në treg nuk është pasojë e vendimit të tyre.

Top Channel