Rriten cmimet e ilaceve

31/01/2011 16:40

Ministri i Financave, Ridvan Bode argumentoi pak kohë më parë para deputeteve se futja për herë të parë e TVSH-së për ilacet nuk do të rriste cmimin e tyre.

Por në fakt, ajo që po ndodh me cmimin e ilaceve nëpër farmaci është e kundërta, pasi duke nisur nga dita e martë cmimi i ilaceve do të pësojë një rritje në vlerën 10% më shumë nga cmimi aktual.

“Ne e kemi lënë të fillojë më 1 shkurt sepse informacioni është vetëm për depot që kanë filluar sot. Që nesër do të fillojë për medikamentet me TVSH 10%”, deklaron Florian Marku, farmacist.

Përvec rritjes së cmimit, vendosja e TVSH-së 10 përqind ka sjellë edhe probleme për furnizimin e farmacive, pasi tregtarët e mëdhenj të medikamenteve ende nuk e kanë të qartë se si duhet faturuar kjo taksë shtesë, e cila më parë ka qenë zero.

“Për momentin nuk kemi bërë furnizim sepse nuk është ende e qartë. Aktualisht ilacet po i shesim sic i kemi shitur gjithmonë”, thotë farmacisti tjetër Edlir Baburi.

Importuesit e medikamenteve janë takuar me drejtues të tatimeve, ku janë sqaruar se medikamentet që tashmë janë gjendje do t’u shtohet në cmimin të cilin e mbajnë në pullë edhe TVSH-ja 10%, ndërsa furnizimet pas datës 30 janar do të kenë në pullë cmimin ku përfshihet TVSH-ja.

Top Channel