Kukës, “fantazmat” grabisin pasuritë minerare

29/01/2011 08:30

Duke qenë i pasur me minerale të ndryshme si krom, hekur-nikel, bakër etj., shumë zona mineralmbajtëse dhe miniera të vjetra u bënë arena e një fitimi të etshëm për dhjetëra firma vendase dhe të huaja, duke shkaktuar edhe aksidente me pasojë vdekjen.

Aksidenti me vdekje i një të riu në një vendburim të kromit në Surroj, për shkak të moszbatimit të normave elementare të sigurimit teknik, solli nevojën e ngritjes së një strukture të posaçme.

Task-Forca për minierat u ngrit në muajin gusht të vitit të shkuar mbi bazën e një marrëveshjeje mes katër ministrive, të Brendshmes, Financës, Ekonomisë dhe të Punëve Publike.

Komisioni kryesohet nga prefekti i Qarkut të Kukësit, Elez Maçi, dhe ka në përbërje ekspertë të dikastereve të përmendura.

Në këtë rajon, deri në shtator të vitit 2010, kur tashmë ishte ngritur kjo strukturë e forcës, ekzistonin rreth 80 firma të kromit dhe mineraleve të tjera që operonin në vendburime të vjetra dhe të reja të mineraleve, në mënyrë krejt jashtë normave të pranuara për kërkime dhe shfrytëzime të tilla.

Një muaj më pas, si rezultat i presionit të kësaj strukture, një numër firmash u shkrinë, pasi në të vërtetë, siç tregojnë efektivë të Task-Forcës, as që ishin të tilla.

Por, gjithsesi, numri i atyre firmave kontrabandë mbetej i madh. Në vjeshtën e shkuar, për shkak edhe të rrethanave të favorshme në tregjet ndërkombëtare, kërkesat për krom, hekur-nikel etj., në Qarkun e Kukësit bënë që gjithsesi rreth 50 firma të vazhdonin punën, ndër ta edhe të huaja.

Efektivë të Task-Forcës për çështjet e shfrytëzimit të pasurive minerare, kryesisht të kromit, dhanë alarmin se një numër firmash fantazmë dhe të tjera gjysmë të licencuara po kryejnë një aktivitet informal, që përbën jo thjesht një kontrabandë, por edhe një rrezik për jetën e njerëzve, në rastin konkret të minatorëve.

Top Channel