Donatorët: Dialog politik

29/01/2011 15:50

Donatorët e huaj i bëjnë thirrje politikës në Tiranë që të mos minojë të ardhmen e vendit përmes tensionit dhe konflikteve politike.

Në një deklaratë të përbashkët, ambasadat e vendeve partnere dhe institucionet kryesore financiare që kanë ndihmuar Shqipërinë në këto 20 vjet, shprehen të shqetësuar për ngjarjet tragjike që ndodhën në Tiranë.

“Si partnerë afatgjatë të Shqipërisë që kemi mbështetur përpjekjet e zhvillimit të vendit si dhe rrugën e ndjekur drejt integrimit evropian do të dëshironim të shprehim shqetësimin tonë serioz lidhur me ndikimin negativ që tensionet e vazhdueshme mund të kenë mbi arritjet aktuale të vendit, mbi mjedisin e biznesit si dhe mbi zhvillimin e ardhshëm e të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor”, thuhet në deklaratë.

Donatorët i kujtojnë klasës politike se Shqipërinë e pret një axhendë e rëndësishme, e cila kërkon bashkëpunim dhe jo konflikt.

“Duhet të shfrytëzohen burimet e rritjes për ta mbajtur ekonominë sa më konkurruese në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të vështirë, për ta bërë vendin sa më tërheqës për investimet e huaja, për të hapur mundësi të reja punësimi në vend, si dhe për të rritur mirëqenien”, vijon deklarata.

Në fund deklarata e përbashkët e donatorëve mbyllet me një mesazh të qartë: “Ne u bëjmë apel të gjithë homologëve tanë, udhëheqësve politikë si dhe qytetarëve të Shqipërisë që të punojnë së bashku për një të ardhme sa më të mirë për vendin e tyre”.

Top Channel