Tregu i gazit, i përqendruar në pak burime

28/01/2011 08:15

Autoriteti i Konkurrencës gjykon se tregu i gazit mbetet i cunguar dhe me pak hapësira depozituese, duke shkaktuar shtrembërim të strukturës, për pasojë edhe të çmimeve.

Një vendim i fundit i Autoritetit i ka dhënë të drejtë shoqërisë italiane “Petrolifera” në Vlorë, për tarifat dhe kontratat që aplikon në bazë të kërkesave të tregut.

Kujtojmë se hetimi paraprak e kishte nxjerrë fajtore shoqërinë, e cila nuk u jepte mundësi manovrimi subjekteve të tjera të shkarkonin gaz në këtë port.

Por mënyra sesi është hartuar ligji dhe kontrata koncesionare, i ka dhënë të drejtë shoqërisë, ndërsa ka detyruar autoritetin të tërhiqet, por duke mos harruar të vërë në dukje se tregu ka probleme.

Ndryshimet strukturore në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe të depozitimit të gazit të lëngshëm në rrugë detare kanë ngushtuar hapësirat fizike të depozitimit dhe rrjedhimisht kanë sjellë rritjen e shkallës së përqendrimit në tregun e importit të gazit.

Komisioni i Konkurrencës bën me përgjegjësi të gjitha palët se nuk kanë bashkëpunuar, për të realizuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe me kosto të arsyeshme ekonomike, si në ofrimin e shërbimit nëpërmjet terminaleve bregdetare, ashtu edhe në realizimin e kërkesës.

Top Channel