Selanik, bombë makinës së konsullit shqiptar

28/01/2011 09:40

Rreth orës 3 e 30 të mëngjesit të së premtes, pas një shpërthimi të fuqishëm, ka marrë zjarr makina e konsullit të Shqipërisë në Selanik, Thoma Nini. (UPDATE)

Automjeti tip “Audi” me targë diplomatike 54-23 ka qenë i parkuar në oborrin e pallatit ku jeton konsulli, në rrugën “Anagjeniseos” numër 9, në lagjen periferike, Pilea të Selanikut.

Në vendngjarje kanë shkuar dy zjarrfikëse me 7 punonjës që kanë fikur zjarrin dhe një ekip policisë, i cili ka raportuar më pas në orët e mesditës, se poshtë makinës ishte vendosur një bombë artizanale me bombola gazi dhe lëndë eksplozive.

Vlerësimi i organeve të rendit që po kryen veprimet hetimore për të zbardhur autorët e ngjarjes, është se bëhet fjalë për një akt terrorist, vepër e grupeve anarkiste që veprojnë në Selanik.

Është karakteristik fakti që edhe në të kaluarën, në një periudhë kohore prej tre vjetësh, janë regjistruar katër akte të njëjta ndaj automjetit të konsullit shqiptar, dy herë në parkingun e pallatit të shtëpisë së tij dhe dy herë në vendparkingun pranë ndërtesës së konsullatës në qendër të qytetit, duke mos përmendur edhe djegien në vitin e kaluar, të makinës së oficerit të policisë së kësaj konsullate.

Top Channel