PS: Maturi nga policia dhe qytetarët

28/01/2011 11:45

Partia Socialiste, në prag të demonstratës-homazh të ditës së sotme, ka garantuar sërish ecurinë e qetë dhe paqësore të saj.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PS, Megi Ajtyresa ka ftuar policinë që të bëjë si duhet detyrën e saj dhe nga ana tjetër manifestuesit që të ruajnë qetësinë.

“Kemi respekt për cdo polic që është sot në krye të detyrës. Policia është e ftuar të bëjë detyrën dhe cdo protestues që të ruajë qetësinë. Kërkojmë qetësinë dhe heshtjen që imponojnë homazhet e sotme”, ka deklaruar Ajtyresa.

Në emër të PS, ajo është shprehur se në këto momente të rëndësishme për vendin, qytetarët shqiptarë duhet të tregojnë maturi.

“Shqipëria ndodhet në momente të rëndësishme. E gjithë bota i ka kthyer sytë nga ne. Të gjithë ne, demonstrues e policë, duhet të japim mesazhin se jemi një popull i qytetëruar dhe në rrugën e demokracisë”, ka shtuar Ajtyresa.

Top Channel