Siguria e doganave, KESH mbledh donatorët

27/01/2011 08:00

Rritja e financave të KESH-it në vitin 2010, performanca pozitive e krijuar falë eksporteve të larta, po krijon një tjetër mentalitet për donatorët.

Këta të fundit u thirrën dje nga kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo për të parë nga afër mundësitë e financimit në disa projekte, ku më i rëndësishmi është ai i sigurimit të digave.

Banka Botërore është institucioni kryesor dhe mbështetës në projektet e KESH-it, ndërsa të tjerë me radhë po rrisin interesin për financime.

Të ndara sipas projektit, rëndësisë, studimet etj, të gjitha objektet u prezantuan nga drejtues të KESH-it në mënyrë të detajuar.

Referuar një studimi të SECO-s, për sigurimin e digave dhe krijimin e garancisë për të gjitha kaskadat e HEC-eve të mëdhenj, nevojitet një investim prej të paktën 250 milionë dollarësh.

“Projekti i Implementimit të Masave për Sigurinë e Digave është parashikuar të realizohet nëpërmjet një financimi paralel të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare si SECO, EBRD, KFW, KESH etj. Kanë përfunduar pothuajse plotësisht specifikimet teknike për komponentët kryesorë të investimeve të infrastrukturës fizike, të përfshira në Projektin e Sigurisë së Digave”, u shpreh Zeqo.

Top Channel