Moisiu: Ndjehet nevoja e zgjedhjeve

27/01/2011 23:05

Në përfundim të fjalës së tij në Top Story, ish-presidenti Alfred Moisiu, ripërsëriti edhe njëherë qendrimin e tij kundër ndryshimeve kushtetuese të 2008-s.

Ai tha se u ndryshua më shumë se gjysma e ligjit themeltar të vendit brenda një nate, pa marrë parasysh mendimin e kritikës.

“Ndryshimet kushtetuese u bënë në atë mënyrë që unë nuk e kuptoj dot. 60 përqind e Kushtetutës u ndryshua brenda një nate. Unë kam qenë kundër dhe në atë kohë mbështeta partinë e Metës”, tha Moisiu.

Në vijim ish-presidenti vlerësoi se kriza e paszgjedhjeve të 2009-s ngarkon me përgjegjësi klasën politike shqiptare, vecanërisht mazhorancën. Moisiu solli si shembull zgjedhjet në Kosovë duke thënë se atje u rinumëruan 70 përqind e fletëve të votimit dhe klima politike u qetësua.

Moisiu kërkoi nga Presidenti i Republikës të mbledhë në një tryezë partitë politike për të gjetur një zgjidhje e për të rivendosur dialogun. Ish-presidenti vlerësoi se në vend ndjehet nevoja e zgjedhjeve të reja, për t’i dhënë fund sic tha ai, shkëputjes së politikës nga problemet e popullit.

“Kriza e paszgjedhjeve më duket se ngarkon me përgjegjësi klasën politike, vecanërisht mazhorancën. Presidenti të mbledhe palët për të biseduar, është e vështirë në këtë krizë, por jo e pamundur. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund shkëputjes së politikës nga problemet e popullit. Ndjehet nevoja e zgjedhjeve të reja”, deklaroi ish-presidenti Moisiu.

Top Channel