Mitingu, mbyllet ambasada USA

27/01/2011 19:30

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëron të gjithë qytetarët amerikanë në Shqipëri që të jenë të kujdesshëm përpara protestës që do të zhvillohet të premten në kryeqytet.

“U kujtojmë të gjithë shtetasve amerikanë se edhe demonstrata me synime paqësore mund të bëhen të dhunshme dhe të paparashikueshme. Ne duhet t’i shmangim nëse është e mundur”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

“Protestat në një qytet potencialisht mund të cojnë në grumbullime të tjera publike, apo demonstrata në lokalitete të tjera në të gjithë vendin. Jini vigjilent dhe të informuar mirë për vendndodhjen dhe kushtojini vëmendje se cfarë raporton media lokale lidhur me grumbullimet publike apo demonstratat”, kërkohet më tej në të.

Kjo ambasadë do të qendrojë e mbyllur më 28 janar dhe ka paralajmëruar stafin e saj që të kufizojë të gjitha udhëtimet e panevojshme gjatë protestes.

Gjithashtu, përmes këtij njoftimi u thuhet shtetasve amerikanë që hyjnë apo largohen nga Shqipëria, që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me faqen e internetit të ambasadës, për të patur një informacion të përditësuar për kushtet e sigurisë në Shqipëri.

Top Channel