Lidington: Keqardhje për 21 janarin

27/01/2011 23:30

Ministri Britanik për Europën, David Lidington shprehu keqardhje për ngjarjet e 21 janarit dhe bëri thirrje që ato të mos përsëriten më.

Më vjen shumë keq për dhunën dhe humbjen e jetëve gjatë protestës të premten e kaluar në Tiranë, tha ai përmes një deklarate. Imazhet nga Tirana që pamë në ekranet tona televizive javën e kaluar nuk janë imazhe që ne duam të shohim nga një shtet që dëshiron anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ai thotë se mënyra më e mirë për të treguar respekt për viktimat dhe për ata punonjës policie që u sollëm me përmbatje e profesionalizëm është të sigurohet një hetim i plotë, i pavarur, vecanërisht për të shtënat me armë.

Lidington u bën thirrje autoriteteve shqiptare të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe partitë politike të përmbahen për të mos sulmuar integritetin e institucioneve të pavarura shqiptare dhe të mos pengohet procesi i nevojshëm i sundimit të ligjit.

Lidington e quan këtë një moment të rëndësishëm dhe delikat kur kredibiliteti ndërkombëtar i Shqipërisë është në rrezik dhe, sipas tij, tubime të tjera, sado paqësore mund të shkaktojnë përplasje të tjera.

Top Channel