Kriza, reagojnë intelektualët shqiptarë në Itali

26/01/2011 23:05

“Politika nuk mund të rrezikojë demokracinë. Mjaft më me instrumentalizimin e së vërtetës dhe manipulimin psikologjik të popullit”.

Ky është apeli i lëshuar në Itali nga intelektualë të ndryshëm shqiptarë, që jetojnë në Milano, një qytet që ka një prani të konsiderueshme të emigrantëve nga ky vend.

“Ngjarjet e fundit dramatike në Shqipëri, gjatë të cilave tre persona humbën jetën, lexohet në deklaratë, na kanë goditur, duke rievokuar kujtimin e një të shkuare të hidhur përplasjesh, dhune dhe gjaku, që shtyu shumë prej nesh të kërkojnë mundësi të reja”.

Intelektualët shqiptarë në Itali zhvilluan një sërë takimesh ditët e fundit, ku kanë marrë pjesë profesionistë, shoqata, artistë dhe njerëz të thjeshtë.   

“Prania e rreth 500 mijë shqiptarëve në Itali na detyron të dënojmë moralisht dhe unanimisht aktet e dhunës fizike, thonë ata. Edhe dhuna verbale me tone të papranueshme dhe akuza reciproke, pa asnjë profesionalizëm dhe përgjegjësi është shenjë e mungesës së plotë e vullnetit politik për të kërkuar të vërtetën dhe të drejtën.

Instrumentalizimi i vazhdueshëm i fakteve, vazhdon deklarata e tyre, kërcënimi i lirisë personale, mungesa e koherencës dhe e etikës politike shkaktojnë pasoja për demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

Politika duhet të jetë në shërbim të të mirës së përbashkët dhe jo instrument i pasurimit personal”. Intelektualët shqiptarë në Itali shprehen besimplotë dhe kërkojnë që mendjet e lira dhe më të ndritura në Shqipëri dhe jashtë saj të dalin në pah derisa Shqipëria të rimarrë rrugën e duhur dhe të paevitueshme të integrimit në familjen e madhe europiane.

Top Channel