SHBA: Mbështetje të plotë Prokurorisë

25/01/2011 20:25

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Prokurorinë, në lidhje me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, duke theksuar se ai është organi kryesor i hetimit.

Në një dalje për shtyp, në krahë të prokurores së përgjithshme, Ina Rama, Arvizu deklaroi se do të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga ajo, për të cilën është shprehur optimist se do të përmbushet në të gjitha pikat.

“Sipas ligjit shqiptar, zyra e Prokurorisë merret me hetimin e këtyre ngjarjeve dhe ne shprehim mbështetjen e SHBA-ve për këtë zyrë. Do ta shqyrtoj me shumë kujdes kërkesën drejtuar mua dhe do ta dërgoj në Uashington, megjithatë mendoj se përgjigjja do të jetë në favor dhe pozitive. Shumë shqiptarë, përfshirë kryeministrin e vendit, të gjithë kanë kërkuar ndihmën ndërkombëtare për hetimin e këtyre ngjarjeve. Nëse Prokuroria e Përgjithshme e sheh të nevojshme se SHBA-të mund të ofrojnë ndihmën e tyre, unë ndihem i detyruar që kjo të përmbushet”, tha Arvizu.

Ai kërkoi nga dy liderët politikë në vend, kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së Rama, që të shtyjnë ose anulojnë tubimet e parashikuara ditën e premte dhe të shtunë.

“Unë shpresoj që kryeministri i vendit dhe udhëheqësi i opozitës të marrin në konsideratë shtyrjen ose anulimin e tubimeve që janë anonçuar të premten dhe të shtunën”, theksoi diplomati amerikan.

Top Channel