Arvizu, 90 minuta me Ramën

25/01/2011 22:35

Për rreth një orë e 30 minuta ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu është takuar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama në zyrën e këtij të fundit në Bashkinë e Tiranës.

Për rreth një orë e 30 minuta ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu është takuar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama në zyrën e këtij të fundit në Bashkinë e Tiranës.

Për 90 minuta ata kanë diskutuar kokë më kokë për situatën e rëndë politike dhe kryesisht për nevojën e shtyrjes apo anulimit të demonstratës homazh të së premtes.

Mësohet se diplomati amerikan ka këmbëngulur fort në këtë pikë, ndërkohë që lideri socialist ka argumentuar nevojën e nderimit të viktimave të 21 janarit në një homazh paqësor.

Ajo që duket se tremb shumë diplomatët dhe ambasadorin amerikan është precipitimi i situatës, e cila është mjaft e tensionuar dhe këtë zoti Arvizu ja ka bërë të qartë zotit Rama.

Mundësia e daljes jashtë kontrollit të mitingjeve dhe demonstratave, në këndvështrimin amerikan është e madhe, sikurse edhe frika për integritetin fizik të liderit të saj, por për Ramën opozita nuk kultivon frikën në vend dhe njerëzit nuk kanë përse të frikësohen.

Pas këtij takimi, Edi Rama i është drejtuar selisë rozë për një takim tjetër me aleatët e opozitës, të cilët i ka informuar për bisedën me zotin Arvizu dhe ambasadorët e tjerë një ditë më parë.
Tryeza duket se nuk ka dalë me ndonjë vendim lidhur me shtyrjen apo anulimin e demonstratës homazh. Deri në këto momente në të kundërt të kryeministrit , opozita nuk ka dhënë shenja tërheqje nga organizimi masiv i paralajmeruar për të premten kur mbushën edhe plot 7 ditë nga vdekja e tre demonstruesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Top Channel