21 janari, Gjata: Për “grusht shteti” vendos drejtësia

25/01/2011 23:45

Protesta e 21 janarit, dhuna që e shoqëroi atë dhe debati i ashpër që ka thelluar hendekun mes palëve politike në Shqipëri, ishte në qendër të debatit në Top Show.

I ftuar në panelin e Top Show, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Clirim Gjata, deklaroi se ajo që solli më shumë dëmë ishte ushtrimi i dhunës dhe se përcaktimi nëse protesta e 21 janarit ishte tentativë për grusht shteti apo jo, i mbetet drejtësisë.

“Dhuna sidomos në politike sjell dëme të mëdha. Më duket formale cështja nëse është grusht shteti apo jo, kjo i përket drejtësisë për ta vendosur. Jemi përpara dhunës. Kjo është ajo që nuk e mohon njeri dhe është e patolerueshme”, tha zoti Gjata.

Ndërkohë, për ish-politikanin dhe historianin, Pëllumb Xhufi, kushtet kryesore të një grushti shteti i plotësoi protesta e 14 shtatorit të vitit 1998 dhe jo ajo e 21 janarit. Por gjithësesi, zoti Xhufi tha se protesta e 21 janarit nuk mund të pritej e qetë pasi kanë ndodhur shumë ngjarje. Ai rënditi “Gërdecin” dhe aferat korruptive, ku sipas tij është e përfshirë thuajse e gjithë qeveria.

“Demonstrata e 21 janarit nuk mund të ishte e qetë sepse kanë ndodhur shumë ngjarje, “Gërdeci e aktet korruptive që kanë përfshirë të gjithë qeverinë, gjuha e ashpër e konsumuar edhe ditët para demonstratës me fyerje ndaj opozitës”, tha Pëllumb Xhufi.

Top Channel