TIA: Partitë gënjejnë për financimet

24/01/2011 16:55

Partitë politke gënjejnë për deklarimin e financimeve të tyre. Asnjë institucion nuk ka bërë hetime të financimeve apo dhurimeve që u bëhen atyre në fushatat elektorale.

Në një tryezë të organizauar nga Transperency International për transparencën e financimit të partive, kreu i KQZ Arben Ristani deklaroi se është kryer një hetim, por kërkohet që ai të bëhet më i thelluar.

“Në fakt, nuk është se shkeljet e konstatuara ishin të rënda, kishin të bënin me mungesën e deklarimit të numrit të llogarisë, por që nuk ishin të rënda si shkelje dhe ndoshta kjo solli uljen e ankimeve në KQZ. Sigurisht që ka vend për një hetim më të specializuar”, tha Ristani.

Ndonëse Ristani nuk ka deklaruar shkelje të konsiderueshme, përfaqësues të shoqërive civile nga hetimet e tyre dëshmuan se partitë politike kanë fshehur financimet dhe dhurimet e bëra, duke i zvogëluar me disa herë shifrat që kanë deklaruar krahasuar me ato reale.

“Synojmë një paraqitje të detajuar në sytë e publikut të aseteve, financimeve të kandidatëve dhe të fushatës elektorale”, deklaroi Lutfi Dervishi, drejtor i TIA.

Sipas Dervishit, duhet të ketë institucione të pavarura mbikëqyrëse që të bëjnë hetimin e financimeve të partive.

Top Channel