Situata alarmuese ushqimore në botë

24/01/2011 16:00

Një raport i qeverisë britanike, i publikuar sot, e cilësoi si alarmuese gjendjen ushqimore në botë, ndërsa uria vazhdon të shtohet në vendet e varfëra, së bashku me viktimat e mungesës së ushqimit apo kequshqyerjes. Ç’është më e keqja, e ardhmja duket edhe më e zymtë.

Sipas të dhënave të Departamentit Shtetërore të Ushqimit, sistemi aktual konsiderohet si jo në gjendje që të përballojë kërkesën gjithmonë në rritje për ushqime, të paktën nëse nuk do të ndërmerren menjëherë ndryshime serioze.

Raporti është konkretizim i punës 2-vjeçare të 400 ekspertëve nga 35 vende. Profesori John Beddington, i cili udhëhoqi eksperitizën, deklaroi: “E dimë që në 20 vitet e ardhshme, popullsia e planetit do të rritet në 8,3 miliardë banorë.

Për fat të keq, urbanizimi është një proces shumë i vrullshëm dhe deri atëherë, 65-70% e popullsisë do të jetojë në qytete.

Në 20 vitet e ardhshme, kërkesa për ushqime do të rritet me 40%, ajo për ujë të pijshëm me 30% dhe ajo për energji me 50%. Zhvendosja e popullsisë do të largojë shumë persona nga forcat prodhuese të këtyre produkteve.

Gjendja, e cila që tani është alarmuese, rrezikon të bëhet dramatike nëse masa nuk do të merren në mënyrë të menjëhershme”.

Top Channel