Demonstrata “turp” në Belgjikë

24/01/2011 21:40

Në Belgjikë u mbajt ai që u quajt marshimi i “turpit” kundër të gjithë klasës politike belge, me iniciative të lancuar nga pesë studentë në rrjetin social FB.

Disa dhjetëra mijëra vetë u mblodhën në sheshin Espace du Nord në Bruksel dhe marshuan drejt sheshit Cinquantenario.

Mes dhjetra parullave spikaste ajo që bënte thirrje për seriozitet nga ana e sistemit politik, që prej 224 ditësh ka mbetur në ngërc dhe nuk po prodhon dot një qeveri të re.

“Duam një qeveri të qendrueshme, refuzojmë të jemi republika e bananeve”, janë shprehur njëzëri 35 mijë manifestuesit.

Që prej 13 qershorit Belgjika, që lindi si shtet federal në vitin 1830, është pa qeveri. Një ekzekutiv i përkohshëm i udhëhequr nga kryeministri në ikje, Yves Leterme ka premtuar se do të përshpejtojë procesin.

Më 8 janar Belgjika theu rekordin evropian për shtetet me kohën më të gjatë pa qeveri, që ishte 208, duke iu afruar rekordit botëror që mbahet nga Iraku me 289 ditë.

Top Channel