Rama: Dhuna, jo instrument i opozitës

23/01/2011 20:55

Në konferencën e mbajtur për shtyp pas kthimit nga funeralet e dy viktimave të protestave të 21 janarit në Fier e Gjirokastër, Rama tha se dhuna nuk është një instrument i përdorshëm nga opozita dhe se përjashtohet cdo mundësi e përdorimit të saj.

“Nuk e konsiderojmë dhunën një instrument të përdorshëm. Përjashtojmë cdo mundësi të përdorimit të dhunës dhe refuzojmë cdo individ që konsideron dhunën si mundësi tonën. Kjo është e vërteta jonë e 21 janarit, e 28 janarit e gjithë rrugës sonë nga vijmë e gjithë rrugës që do të përshkojmë, pavarësisht cmimit që do të na duhet të paguajmë. Ka patur një skenar të përgatitur, por jo nga ne, nga Saliu dhe sot është e qartë se ky skenar ka dështuar vetëm për një arsye, për arsyen se lavdi zotit dhe falë atij gazetari që mundi të regjistronte dëshminë e pakundërshtueshme të prejardhjes së plumbave doli në pah duke bërë të pamundur alibinë e ndërtuar si një film me fantazinë që mund ta ketë vetëm një njeri që në historinë e vet ka treguar se di të organizojë sulme me arëme e antitank ndaj asaj godine që më 21 janar thotë se e mbrojti, por në fakt e përdori si një llogore për të qëlluar mbi opozitën. Të gjitha armët ishin brenda territorit që në fakt duhet ta garantonte”, tha Rama.

Lideri i opozitës garantoi shqiparët se nuk do të ketë një ripërsëritje të skenarit të ‘97-s, dhe se të gjithë zërat për dicka të tillë janë propagandë për të larguar shqiptarët nga rruga e shpresës, për t’i larguar nga opozita që ka marrë përsipër këtë përgjegjësi. Rama tha se rruga e nisur nga opozita është plotësisht e realizueshme pa dhunë dhe ftoi qytetarët sërish në demonstratë më 28 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Ju siguroj se nuk do të këtë më një vit tjetër ’97. Është propagandë për t’iu larguar nga rruga e shpresës, është propagandë për t’iu larguar nga opozita që ka marrë përsipër këtë përgjegjësi. Jam sot më i vendosur se asnjëherë tjetër, që drejtësia e betejës sonë dhe fuqia e ëndrrave dhe shpresave e këtij populli që nuk e meriton këtë që po përjeton. Ftoj qytetarët në bulevadrun “Dëshmorët e Kombit” ku do të jemi më të shumë pasi më të shumta janë arsyet tona”, deklaroi Rama.

Top Channel