Marrëveshjet Iran-BE

23/01/2011 13:30

Mahmud Ahmadinexhad ka lënë të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Fuqitë e Mëdha mbi programin bërthamor të Republikës Islamike, megjithëse bisedimet në Stamboll dështuan mes akuzash dhe kundërakuzash ndërmjet palëve.

Lideri iranian tani thotë se ka ende shpresë për gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Dështimi i bisedimeve shkaktoi zhgënjim të madh në radhët e komunitetit ndërkombëtar. Një ditë më parë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, u shpreh e irrituar për kolapsin e negociatave dyditore, por tha se për këtë fajin e ka Irani.

Ashton udhëhoqi delegacionin e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Rusisë, Francës, Kinës dhe Gjermanisë në negociatat me Iranin lidhur me programin e tij të energjisë bërthamore. Dyshohet se republika islmike e përdor programin për ndërtimin e një bombe atomike, akuzë që Teherani e ka hedhur poshtë.

Takimi I Stambollit pasoi bisedimet e Gjenevës. Përgjatë dy ditësh diskutimet u përqëndruan në masat për krijimin e besimit që përfshin dhe kompromisin se Irani do të shkëmbente një pjesë të uraniumit të gradës së ulët me karburant bërthamor për reaktorin e tij të kërkimeve.

 

Top Channel