Tension polici-protestues

21/01/2011 14:35

Është tensionuar situata para selisë së Kryeministrisë, ku policia pas gazit lotësjellës po përdor pompa me ujë për të shpërndarë demonstruesit.

Kjo ndërhyrje i ka detyruar pjesëmarrësit që të tërhiqen nga qëndrimi i tyre para selisë së qeverisë.

Situata u tensionua pasi disa nga protestuesit hodhën objekte ndaj kordonit të policisë që mbronte ndërtesën, e cila nga ana e saj reagoi me shkopinj gome.

Aktualisht situata paraqitet problematike. Protestuesit vazhdojnë të gjuajnë me gurë forcat e rendit dhe makinat e saj. Gjithashtu, dëgjohen edhe të shtëna që dyshohet të jenë të granatave të gazit.

Ndërkohë, një pjesë e manifestuesve, të mbledhur para ndërtesës së piramidës, kanë sulmuar duke thyer e kthyer përmbys disa makina.

Ndërsa para kryeministrisë ka një sasi të madhe tymi të shkaktuar nga granatat me gaz lotësjellës të policisë, e cila vazhdon të përdorë shkopinjtë e gomës ndaj turmës. Kjo e fundit ka filluar të kthehet sërish para Kryeministrisë, pas një tërheqjeje të përkohshme të forcave të policisë. 

Top Channel