Politika e Kosovës apelon për qetësi

21/01/2011 22:45

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka ftuar të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, spektrin e gjerë politik dhe qytetarët që të ruajnë stabilitetin e vendit, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe dialogut mes forcave politike, që është në interes të të gjithë shqiptarëve në këto momente të rëndësishme për perspektivën integruese të Shqipërisë.

Thaci tha gjatë një konference për shtyp se po i ndjek me vëmendje dhe interesim të veçantë zhvillimet politike në Republikën e Shqipërisë dhe apeloi për ruajtjen e frymës së solidaritetit e unitetit politik. Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri në largim i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave.

Më herët në një deklaratë të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i bënë thirrje popullit shqiptar për qetësi dhe maturi. Kjo situatë duhet të kalohet me maturi, thuhet në deklaratën e AAK-së. Kemi besimin se  lidershipi shqiptar do të gjejë rrugën më të mirë të mundshme që ta kapërcejë në të mirë të kombit shqiptar.

Shqetësim shprehu dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që dënoi ashpër veprimet e dhunshme ndërsa theksoi se beson me forcë që të gjitha cëshjet duhen zgjidhur përmes dialogut politik.

Ngjarja e sotme në Tiranë dëmton rëndë demokracinë në Shqipëri, imazhin e saj dhe rrugën drejt Bashkimit Europian, thuhet ne deklaraten e LDK-së, që i bën thirrje palëve të distancohen nga veprimet e dhunshme.

Lëvizja Vetevendosje shprehu gjithashtu keqardhje për ngjarjet tragjike në Tiranë dhe i përcolli ngushëllime familjeve të të vrarëve.

Top Channel