Topi: Sfida jonë, statusi i vendit kandidat

20/01/2011 19:35

Presidenti i Republikës Bamir Topi, në një pritje për trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, ka bërë një retrospektivë për vitin që lamë pas, duke e vlerësuar atë si tepër të suksesshëm për shqiptarët.

Në fjalimin e tij, Topi e ka vënë theksin kryesisht tek liberalizimi i regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

“Me nisjen e këtij viti të ri nuk mund të mos risjellim në mendje momentet më të vecanta të diplomacisë shqiptare gjatë vitit 2010. Shqipëria shënoi një sukses historik me liberalizimin e vizave për qytetarët, që pas shumë dekadash fituan të drejtën për të lëvizur të lirë, natyrisht duke respektuar rregullat dhe afatet kohore në zonën Schengen”, ka deklaruar Topi.

Kreu i shtetit ka theksuar se e drejta për lëvizjen e lirë në kontinentin e vjetër u duhet dhënë edhe qytetarëve kosovarë, në mënyrë që në rajon të mos krijohen ishuj.

“Urojmë që e njëjta gjë të ndodhë edhe për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që shteti i ri të mos mbetet njollë e zezë në rajon”, ka pohuar Topi.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas kreut të shtetit, ka qenë përmbushja e detyrimeve nga ana e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

“Gjithashtu, gjatë 2010-ës Shqipëria përmbushi detyrimet e saj si anëtare e NATO-s. Kontributi në Afganistan ka dhënë frytet e veta dhe ka ofruar një përvojë për profesionalizimin e ushtarakëve tanë”, ka nënvizuar Topi.

Ai ka shtuar më tej se sfida kryesore që pret Shqipërinë në këtë vit të ri është marrja e statusit të vendit kandidat, në mënyrë që vendi të afrohet akoma më shumë Evropës.

“Viti 2011 do shënojë një tjetër hap vendimtar, për të marrë statusin e vendit kandidat, duke shkurtuar rrugëtimin tonë integrues në familjen evropiane. Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk do të na jepet si dhuratë, por me marrjen e pyetësorit ne do t’i plotësojmë detyrimet tona”, ka shtuar Topi.

Në fund të fjalës së tij, presidenti i ka drejtuar një mesazh edhe klasës politike shqiptare, të cilës i ka bërë thirrje që të gjejë gjuhën e përbashkët.

“Aktorët politikë të gjejnë maturinë dhe të rivendosin dialogun. Interesi i qytetarëve dhe i vendit duhet të qendrojë mbi gjithcka. Vetëm duke qenë të matur dhe të ndershëm mund të shkojmë në familjen evropiane”, ka theksuar Topi, duke shtuar se zgjedhjet e 8 majit duhet të mbahen në një klimë të qetë politike. 

Top Channel