Tenderët, kush ankohet paguan 0.5% të fondit

20/01/2011 08:25

Futet si rregull pagesa për subjektet që kanë pretendime se në tender ka pasur manipulime. Në rastin e një ankese, subjekti privat duhet të paguajë më parë një detyrim, që shkon në 0.5 për qind mbi vlerën e fondit limit.

Vendimi u mor dje nga qeveria dhe parashikon disa ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për prokurimin publik”.

Ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KKP), nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë ankandi, duhet të përmbajë dokumentin bankar që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse.

Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e saj përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KKP-ja.

Sipas vendimit, pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet.

Kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

Ankesa e paraqitur pranë komisionit shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse, në numrin e llogarisë së KPP-së, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndryshimet ligjore erdhën pas propozimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, sipas së cilës paraqiten në institucion një lumë ankesash nga subjektet, një pjesë e të cilave përdoren si mjet për të zvarritur procesin.

Top Channel