Rama: Situata, aty ku s’mban më

20/01/2011 21:45

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se aktualisht Shqipëria ndodhet në buzë të humnerës, duke qenë se sistemet kyce të saj nuk funksionojnë për faj, sipas tij, të qeverisë.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Rama është shprehur se pas djegies së fletëve të votimit, opozita është e vetmja alternativë për zgjidhjen e kësaj situate të degraduar.

“Kam shprehur një shqetësim që kam ndarë hapur me gjithë opinionin publik sepse besoj se Shqipëria sot po përjeton një moment shumë dramatik. Të gjitha institucionet kanë rënë, duke filluar nga zgjedhjet dhe duke mbaruar tek drejtësia dhe opozita ka mbetur e fundit gjë që ekziston mes një regjimi kusarësh dhe popullit”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, protesta e opozitës është rruga e vetme për të zgjidhur këtë situatë, duke qenë se të gjitha opsionet politike janë konsumuar nga “matrapazllëku” i qeverisë.

“Jemi në kufijtë fundorë të politikës për të zgjidhur problemet, pasi gjithcka është asgjesuar nga kapja e pushtetit për interesa private nga qeveria e matrapazllëkut. Opozita mbetet mburoja e fundit dhe është alternativa e qeverisë dhe instrumenti i opinionint publik për të kontrolluar qeverinë në Parlament dhe në jetën e përditshme publike. Dhe nëse këtë herë opozita s’bën atë që duhet le të pranojmë që s’kemi më as opozitë”, ka deklaruar Rama.

Rama ka përjashtuar në mënyrë kategorike opsionin e përdorimit të dhunës nga ana e PS, por nuk e ka përjashtuar një reagim të mundshëm të ashpër nga ana e qytetarëve, të cilët sipas tij janë më të indinjuar se kurrë.

“Duke mos e pasur dhunën pjesë se si ne e shohim botën, përballë kemi pushtetin që nuk do t’ia dijë për asgjë dhe që nuk i jep arsye për ta zgjidhur situatën me mjet politik, rrezikojmë të kalohemi nga populli. Të defaktorizohemi si barriera e fundit që ka populli për t’u mbrojtur nga kapja e pushtetit”, ka nënvizuar Rama.

“Dhuna është pa asnjë lidhje me atë që ne përfaqësojmë. Dhuna është tërësisht e përjashtuar. Cështja është a do ta japë apo jo dorëheqjen Saliu, a do qëndrojë në këmbë koalicioni i turpit dhe a do të ketë zgjidhje një krizë politike, që mund të zgjidhet me mjete politike”, ka theksuar ai.

Top Channel