Miratohet koncesioni i pullave fiskale

20/01/2011 08:10

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat mori dje në shqyrtim dhe miratoi projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë ‘Sicpa Security Solutions’, SA e ‘Sicpa Security Solutions’ Albania SHPK për projektimin, financimin, dizajnimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”.

Votimi kaloi me debate, pasi opozita nuk pranoi të merrte pjesë pa u njohur më parë me procedurat e zhvillimit të tenderit.

Projektligji pritet të sjellë një sistem të ri me një teknologji të përparuar për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale dhe të pullave të kontrollit të barnave.

Parashikohet që brenda një periudhe 10-vjeçare koncesionari të ofrojë shërbime të cilat ndahen në shërbime që përfshijnë dizajnimin, financimin, ndërtimin, testimin, zbatimin dhe operimin e sistemit të ri të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale e të pullave të kontrollit për barnat; shërbime operacionale ku përfshihen prodhimi, shpërndarja, gjetja dhe monitorimi i pullave fiskale dhe i pullave të kontrollit për barnat.

Komisioni e miratoi projektligjin dhe u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare.

Top Channel