Hetimet në Prokurorinë e Përgjithshme

20/01/2011 20:10

Prokuroria e Tiranës deklaron moskompetencën për hetim të zyrtarëve me imunitet dhe dërgon dosjen me videon-skandal Meta-Prifti për t’u hetuar nga prokuroria e përgjithshme.

Edhe pse ish-zv.kryeminsitri Ilir Meta dha dorëheqjen nga posti për t’iu dorëzuar hetimeve, sipas legjislacionit ai është person me imunitet pasi është deputet i LSI-së, sikurse edhe ish-ministri dhe deputeti Dritan Prifti.

Një veprim që paralajmëron hetimin dhe kërkesën e afërt të Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit.

Duke qenë se të dy ish-ministrat shfaqen në video duke folur për tendera, licensa hidrocentralesh dhe influenca për punësim sipas urdhërave të zotit Meta, prokurorët e njësisë task forcë mendohet të kenë gjetur gjurmë të veprave penale.

Hetimet e prokurorisë së Tiranës u celën kryesisht për korrupsion aktiv dhe pasiv të funksionarëve të lartë dhe shpërdorim i detyrës, pa personazhe konkrete.

Prokuroria e Tiranës pas dy thirrjeve të zotit Prifti për të dhënë sqarime kishte premtuar se do të merrte në pyetje edhe zotin Meta, por vetëm atëherë kur të kishte një përgjigje zyrtare nga pala amerikane për videon.

Burime jozyrtare shprehen se tashmë që materialet për videon-skandal së bashku me dokumente të sekuestruara nëpër institucione referuar bisedës për të cilën flasin ish-ministrat ndodhen në Prokurorinë e Përgjithshme, pritet që sërish grupi i prokurorëve që do të ngrihen të hetojnë jo vetëm mbi cfarë flitet në video dhe mbi dokumentacionin e bllokuar për llogari të hetimeve, por edhe mbi personazhet e implikuara.

Por, përpara se prokurorët të bëjnë këtë veprim, prokurores së përgjithshme, zonjës Ina Rama do t’i duhet t’i kërkojë Këshillit të Mandateve imunitetin e deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, në mënyrë që të ketë rrugën e hapur për hetimet.

Në fakt, imuniteti i Metës nuk është hera e parë që kërkohet nga organi i akuzës. Në legjislaturën e Kuvendit 1992-1996, prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të tij, si deputet i Partisë Socialiste në atë kohë, duke e marrë nën hetim për nxitje të revoltave në Polican, histori e cila përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, ku Meta iu dha të drejtë.

Ndërkohë, për Prokurorinë e Përgjithshme e në vecanti për kryeprokuroren Ina Rama, cështja e imuniteteve është kthyer në dosje të zakonshme për vartësit e saj.

Pesë vitet e fundit e njëjta prokurori kërkoi imunitetin e ish-ministrit të Transporteve Lulëzim Basha, më tej imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, deputetit republikan Hajrulla Paturri dhe së fundmi edhe të deputetit Nikollaq Neranxi. Faktikisht, vetëm ky i fundit arriti të marrë një vendim nga gjykata, që sigurisht ishte pafajësia.

Top Channel