Pas 48 ditësh në shesh, organizatorët e protestës njoftojnë mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar Qytetar
Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratës së Ilir Metës, se opozita po rekruton kontigjent kriminal për të shkaktuar trazira më 21 janar.
PS ka deklaruar se daljet e njëpasnjëshme publike të Metës tregojnë gjithnjë e më shumë përfshirjen e tij në afera korruptive.
“Sa më shpesh shfaqet në publik, aq më shumë i kujton Ilir Meta shqiptarëve pamjet e matrapazit me bllok në dorë. Sa më shumë del në televizor, aq më shumë arsye i jep Ilir Meta shqiptarëve për të protestuar në demonstratën e së premtes”, ka deklaruar zëdhënësja e PS, Megi Ajtyresa.
Duke hedhur poshtë akuzat, PS është shprehur se frika e kreut të LSI nga zemërimi i shqiptarëve për shkak të aferave të tij është mëse normale.
“Pas asaj shfaqjeje të turpshme që e panë dhe dëgjuan të gjithë shqiptarët, është e kuptueshme që Ilir Meta të ketë frikë nga zemërata e popullit dhe sigurisht të ketë edhe më shumë frikë nga ndëshkimi i sigurt që populli shqiptar do t’i japë, ndjesë pastë, Lëvizjes Socialiste për Integrim me votë”, ka pohuar Ajtyresa.
Ajo ka shtuar se protesta e 21 janarit është protesta e qytetarëve, të cilët sipas saj do t’i japin goditjen e merituar qeverisë së korrupsionit.
“Por sot, Ilir Meta dhe kryeministri i tij i lajthitur duhet ta kenë të qartë se demonstrata e 21 janarit nuk është përpjekja e PS për të fituar pushtet, por është e drejta e cdo qytetari për të protestuar dhe demonstruar kundër këtij pushteti kusarësh dhe matrapazësh”, ka shtuar Ajtyresa.
Top Channel