Itali, mafia, industri kinematografike

19/01/2011 21:35

Krimi i organizuar në Itali tashmë është kthyer në një industri të vërtetë kinematografike, për shkak të filmave të shumtë që kanë këtë subjekt.

Kështu, aktori dhe regjisori i njohur Michele Placido, pas prodhimit të serialit të suksesshëm “Roman Kriminal” dhe filmit “Vallanzasca, ëngjëjt e së keqes”, ka në plan të xhirojë një film të ri mbi mafian napoletane, të njohur me emrin Camorra.

“Është një temë e nxehtë, që është trajtuar së fundmi në kinema. Nëse do të jetë mundësia, mua do të më pëlqente të trajtoja në thellësi temen e adoleshentëve në Napoli, që rrezikojnë të kthehen në vegla të Camorra-s”, është shprehur Placido.

Placido ka marrë kritika të shumta nga politika për prodhimet e tij, që bëjnë fjalë i pari për një bandë famëkeqe të Romës së viteve ’70 dhe i dyti për një bandit të së njëjtës kohë në Milano.

Por aktori, i mirënjohur për rolin e komisarit Catani në serialin “Oktapodi”, është përgjigjur duke thënë: “Në Parlamentin tonë ka më keq se banditët”.

Ndërkohë, përvec Placido, një tjetër regjisor i njohur në vendin fqinj, Pietro Valsecchi ka në plan të prodhojë një serial të shkurtër të bazuar mbi bestsellerin “Gomorra” të Roberto Saviano.

I titulluar “Klani Casalesi”, një ndër organizatat kriminale më të fuqishme në Itali, xhirimet pritet të fillojnë në shkurt dhe seriali të ketë 12 seri.

Filmi që shkaktoi më shumë polemika në Itali ishte ai i tre viteve më parë, “Bosi i Bosëve”, me aktorin Claudio Gioe që interpretoi bosin e pamëshirshëm të mafias siciliane Toto Riina.

Shkak për këto prodhime masive të kompanive kinematografike italiane është interesi i qytetarëve për të parë jetën brenda mafias, që në vendin fqinj është një realitet shqetësues, sidomos në rajonet jugore.

Top Channel