Tiranë-Elbasan, hapet tenderi për rrugën

18/01/2011 08:30

Mbyllet faza e parë e tenderit për ndërtimin e tunelit të Kërrabës, pjesë e rrugës së re Tiranë-Elbasan.

Mësohet se te procedura e tenderit, e zhvilluar dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, kanë marrë pjesë 25 kompani të njohura në sektorin e ndërtimit të rrugëve.

Në listën e shoqërive të interesuara nuk ka munguar as kompania e njohur amerikane “Bechtel”, e cila ndërtoi rrugën Rrëshen-Kalimash, për 800 milionë euro, pjesë e autostradës Durrës-Tiranë.

Burime nga Drejtoria e Rrugëve thanë për gazetën “Shqip”, se në tender kanë paraqitur oferta edhe kompani të tjera, si austriakët “Strabag” dhe “Alpine”.

“Tenderi i zhvilluar konsiderohet hapi i parë drejt finalizimit të kontratës. Nuk mund të japim më shumë informacione, pasi të gjitha ofertat janë duke u shqyrtuar dhe konsiderohen sekret. Në fazën e dytë, që pritet të zhvillohet pas 10 ditësh, do të thërrasim ato kompani që kanë plotësuar kriteret paraprake dhe respektuar dokumentacionin”, thanë zyrtarë të rrugëve.

Për projektin në fjalë qeveria ka akorduar rreth 15 miliardë lekë, ose 110 milionë euro dhe parashikon ndërtimin e tunelit me dy hyrje-dalje dhe me gjatësi rreth 4 kilometra.

Top Channel