Marty shfajësohet për raportin

18/01/2011 15:25

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty shfajësohet në një intervistë dhënë agjencisë shqiptare të lajmeve “Albinfo” në Zvicër.

“Nëse e lexoni me kujdes raportin tim, unë nuk them në asnjë rast se Z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh, por them se njerëz shumë të afërt të Z. Thaçit janë të implikuar. Pra, është e vështirë të mendosh se ai nuk ka dëgjuar kurrë për to. Për ndryshim nga zonja Karla del Ponte, unë saktësoj shumë aspekte. Nuk them se bëhet fjalë për qindra transplantime të paligjshme. Flas vetëm për një grusht rastesh”, thotë Marty në këtë intervistë.

Ai shfaqjësohet se raporti iu caktua dhe se përveç telasheve nuk i ka sjellë asnjë përfitim.

Duke thënë se nuk është anti-shqiptar, e madje duke e prezantuar veten si një admirues të Kadaresë, Marty thotë se dëshiron të korigjojë disa përshtypje të gabuara që ka dhënë raporti i tij.

“Nuk kam patur për qëllim të kriminalizoj një bashkësi. Dhe as nuk e vë më në diskutim pavarësinë e Kosovës”, thotë ai.

I pyetur mbi dëshmitë në të cilat e ka bazuar raportin, Marty shprehet se me shumicën prej tyre ka biseduar personalisht, ndërsa detyra e tij është denoncojë që më pas të kryhen hetime nga të tjerë.

Sipas tij, reagimet kanë qenë të tepruara dhe se 99.9% e atyre që kanë folur nuk e kanë lexuar të plotë raportin për të cilin ai kërkon një përkthyes profesionist që ta paraqesë para shqiptarëve.

“Ju e njihni rregullin politik i cila vlen për të gjitha shtetet. Ajo që thotë se armiku i jashtëm ndihmon gjithmonë për të mobilizuar trupat e brendshme dhe mundëson harresën e problemeve të shumta të brendshme. Kështu unë u bëra ai dashi i kurbanit, kurse mendoj se problemet nuk janë të miat, por ato gjendën atje brenda dhe atje duhet të zgjidhen”, deklaroi Marty për “Albinfo”.

Top Channel