Hetimet për HEC-in e tenderat

18/01/2011 19:40

Në pritje të përgjigjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për asistencë në verifikimin videos-skandal Meta-Prifti, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dokumenta të shumta rreth çështjeve për të cilat diskutojnë ish zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ish ministri Dritan Prifti.

Burime të besueshme të TCH konfirmuan se prokurorët e task force kanë tërhequr për llogari të hetimeve dokumenta në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës për liçensën konçensionare për hidrocentralin për të cilën flitet në bisedë.

Burimet jo zyrtare saktësuan se kanë marrë dokumentacion edhe mbi vendimin gjyqësor në apel për hidrocentralin e shumë përfolur në videon e dy funksionarëve të lartë.

Burimet nga ana e tyre saktësuan se është kërkuar ndihma e të huajve pasi Prokuroria nuk ka kapacitetet për të kryer ekspertizën nëse video është e montuar apo jo.

Por ndërsa në Shqipëri ka laboratorë privatë për ta kryer këtë ekspertizë, ky opsion është përjashtuar kategorikisht si mundësi pasi sikurse thanë burimet, është e pamundur që kjo çështje kaq sensitive të kryhet privatisht.

Të njëjtat burime thanë për TCH se përzgjedhja e amerikanëve nuk është një rastësi, pasi janë pikërisht ata që asistuan edhe në ngritjen e trajnimin e prokurorëve në njësinë task force, njësi e cila ka në duar çështjen e videos-skandal.

Përveç ekspertizës për videon, prokurorët po hetojnë edhe një tjetër çështje të saj, siç është ai i tenderit të Albpetrolit të cilën ish zëvendëskryeministri kërkonte të anulonte, në favor të një personi tjetër.

Top Channel