Gripi, prag epidemie, 37 raste me AH1N1

18/01/2011 19:45

Vendi ynë është në prag epidemie si përsa i përket gripit stinor, ashtu edhe gripit të derrit. Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero konfirmon rastet në shtim të të prekurve nga virusi AH1N1, ndaj kërkon kujdes maksimun nga qytetarët.

Aktualisht konfirmohen 37 raste të prekur nga AH1N1 në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Jemi në pragë epidemie edhe në raport me virusin AH1N1. 60-65% e virusit qarkullues është AH1N1. Situata vërtetë është alarmante në raport me kujdesin që duhet të kenë qytetarët për vetën dhe shërbimi shëndetësor për qytetarët. Por nuk është për t’u alarmuar apo krijuar panik, sepse situata është nën kontroll. Çka do të thotë se janë marrë masa që i gjithë sistemi të ketë medikamentet e duhura për trajtimin e rasteve”, tha Pipero.

Sipas specialistëve, virusi AH1N1 bëhet më i ashpër vetëm kur mbivendoset me virozat stinore që për momentin po qarkullojnë të shumta në popullatë.

Në Institutin e Shëndetit Publik regjistrohen rreth 13 mijë raste në javë të prekur nga viroza stinore.

Mjekët specialistë rekomandojnë vaksinim të menjëhershëm pasi redukton rreth 80% të pasojave shëndetësore si dhe paraqitjen e menjëhershme tek mjeku nëse vihen re simptoma qoftë dhe të lehta të gripit.

Fundi i muajit pritet të ketë një shtim edhe më të madh të rasteve.

“Presim që vala kryesore e kësaj epidemie të virusit të gripit stinor, të jetë fundi i janarit, apo fillimi i shkurtit. Vaksina aktuale që qarkullon të mbron nga të dy viruset njëkohësisht dhe grupet e popullatave më në risk si fëmijët, të sëmurët kronikë apo të moshuarit të vaksinohen”, theksoi Pipero.

Në disa vende fqinje virusi AH1N1 ka shkaktuar edhe viktimat e para, por kjo sipas Piperos nuk duhet të shkaktojë panik, pasi sistemi shëndetësor është në gatishmëri, por kërkohet vetëm kujdes maksimal nga qytetarët.

Top Channel